PSE TË INVESTONI NË KAMENICË?

Komuna e Kamenicës shtrihet në skajin lindor të Kosovës. Ka një sipërfaqe prej: 417km2, me 36,085 banorë në 58 vendbanime. Terreni i saj është kodrinoro-malor me disa lugina rreth lumenjëve. Ka tokë aluviale shumë të përshtatshme për zhvillimin e perimtarisë dhe kulturave të tjera bujqësore. Ka një rrjet të dendur ujor me lumenjtë kryesorë: Krivareka, Lumi i Hogoshtit, Morava e Binçës me rrethinë, si dhe një akumulacion ujor në fshatin Ruboc.  Komuna e Kamenicës vlerësohet si një nga lokacionet me nëntokën më të pasur në Kosovë, me xehe minerale si: Magnezitet, Granitet, Bentonitet, Kuarcitet, Gëlqerorët, etj.

Përtej pasurive natyrore, Kamenica është vend model i bashkëjetesës në mes të komuniteteve të ndryshme.  Kamenica është shumë e pasur edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, që përbën potencial për zhvillimin e turizmit. Ka 44 saje të trashëgimisë kulturore (21 arkeologjike dhe 23 arkitektonike).

Kamenica është e njohur edhe për zejtarinë prodhuese, shërbyese artistike dhe atë artizanale. Ekonomia është e mbështetur në biznese kryesisht të vogla dhe shumë pak biznese të mesme.
Sektorët më të zhvilluar në këtë komunë janë: Prodhimi dhe Përpunimi i Ushqimit dhe Materialeve Ndërtimore, Bujqësia, Tregtia dhe Shërbimet.  Sipas ARBK-së, në periudhën 2000-2018 në këtë Komunë janë regjistruar 2,637 biznese. Sot, janë aktive 722 prej tyre dhe kanë 1647 të punësuar.

Me resurset e shumëfishta, Komuna e Kamenicës fton partnerët potencial, sidomos ata nga diaspora që t’i shohin mundësitë për investime. Komuna premton të jetë e hapur duke ju ofruar mbështetje të plotë në shërbimet komunale. Ejani të bashkë-krijojmë të ardhmen e Kamenicës!

#InvestinKamenica